Kanceri i Prostatës

Kanceri i Prostatës

Simptomat dhe trajtimi i kancerit të prostatës

Kanceri i prostatës është lloji i dytë më i shpeshtë i kancerit që haset tek meshkujt në mbarë botën. Me kujdesin e duhur, prognoza e përgjithshme për pacientët me kancer të prostatës është përgjithësisht pozitive, falë metodave të avancuara të diagnostikimit dhe teknikave të suksesshme të trajtimit. Spitalet Acıbadem në Turqi disponojnë një gamë të plotë të opsioneve diagnostikuese dhe trajtuese, të siguruara nga një ekip multidisiplinar ekspertësh të njohur ndërkombëtarisht.

Sëmundjet më të shpeshta të prostatës

Gjëndra e prostatës, e cila është e pranishme tek çdo mashkull që nga lindja, ndodhet pak më poshtë fshikëzës së urinës. Funksionet e saj lidhen me riprodhimin dhe maturimin e spermës. Normalisht, tek të rinjtë ajo ka madhësinë e një arre, por ndërkohë që burrat plaken fillon të zmadhohet. Meqenëse trakti urinar kalon nëpërmjet prostatës, zmadhimi i këtij organi shkakton shtypje dhe probleme me urinimin.

Sëmundjet e prostatës mund të jenë malinje ose beninje, dhe sëmundjet beninje janë shumë më të zakonshme. Më të hasurat prej tyre janë BPH (hiperplazia beninje e prostatës), prostatiti (infeksioni i prostatës) dhe kanceri i prostatës. Të gjithë këto mund të shkaktojnë ankesa të sistemit urinar, si urinimi i shpeshtë gjatë natës dhe ditës, ndjesi djegieje gjatë urinimit dhe pamundësi për të zbrazur plotësisht fshikëzën e urinës. Edhe pse rrallë, ato gjithashtu mund të shkaktojnë probleme të ejakulimit dhe gjakderdhje. Ndërsa BPH dhe kanceri i prostatës zakonisht hasen te meshkujt mbi 40 vjeç, prostatiti shpesh gjendet tek meshkujt më të rinj.

Çfarë është kanceri i prostatës?

Kanceri i prostatës fillon me rritjen jonormale të qelizave në gjëndrën e prostatës. Qelizat e kancerit rriten dhe ndahen me një ritëm të shpejtë, duke formuar një tumor. Me kalimin e kohës, qelizat e kancerit mund të përhapen në indet dhe organet e afërta dhe të largëta (të bëjnë metastaza).

Ndërsa hiperplazia beninje e prostatës (BPH) shkakton vështirësi në urinim dhe ankesa të tjera, kanceri i prostatës është një sëmundje më e fshehtë, pasi shpesh zhvillohet në zonën periferike të prostatës. Shumë shpesh, mund të mos shfaqë asnjë simptomë para se të arrijë në një fazë të avancuar. Prandaj, kontrollet mjekësore vjetore janë vendimtare për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm.

Çfarë e shkakton kancerin e prostatës?

Shkaqet e sakta të kancerit të prostatës ende nuk dihen plotësisht. Mosha e vjetër konsiderohet faktori numër një i rrezikut, pasi shumica e rasteve zbulohen pas të 50-ave. Trashëgimia gjenetike dhe obeziteti gjithashtu shoqërohen me një rrezik më të lartë. Sipas disa studimeve, burrat që konsumojnë sasi të mëdha të yndyrave, veçanërisht nga mishi i kuq i gatuar në temperaturë të lartë, mund të kenë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të prostatës në stad të avancuar. Konsiderohet se faktori themelor mund të jenë hormonet: yndyrat stimulojnë rritjen e prodhimit të testosteronit dhe hormoneve të tjera, dhe testosteroni përshpejton rritjen e qelizave të kancerit.

Historia familjare është gjithashtu e rëndësishme. Rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës rritet me 7 herë për njerëzit që kanë anëtarë të familjes me këtë sëmundje. Përveç kësaj, nëse nëna e një burri ka pasur kancer të gjirit, atëherë ai ka një rrezik më të lartë për kancer të prostatës. Kjo ndodh te bartësit e mutacioneve BRCA, por ka edhe faktorë të tjerë të rrezikshëm. Njerëzit që kanë anëtarë të familjes të brezit të parë të diagnostikuar me kancer të prostatës ose kancer të gjirit me BRCA duhet të fillojnë ekzaminime të rregullta dhe testimin me PSA në moshën 40 vjeçare; ndërsa ata pa histori familjare mund t’i fillojnë ato në moshën 45 vjeçare.

Shenjat dhe simptomat e kancerit të prostatës

Sëmundja mund të mos shfaqë ndonjë simptomë në një fazë të hershme, ose nëse shfaqen, ato fare lehtë mund të ngatërrohen me sëmundjet beninje. Simptomat e kancerit të prostatës mund të shfaqen me urinim të shpeshtë, përfshirë edhe urinimin natën; vështirësi në urinim; degëzim në rrjedhën e urinës dhe ndjesi të zbrazjes jo të plotë të fshikëzës së urinës; djegie ose dhimbje gjatë urinimit ose ejakulimit; gjak në urinë ose spermë; probleme me ereksionin. Fillimi i zgjimit natën për të urinuar pas moshës 40 vjeç është gjithashtu një ndër simptomat. Duhet mbajtur mend se kanceri i prostatës mund të mos shfaqë fare shenja të hershme. Kjo është arsyeja pse kontrollet vjetore rutinë janë thelbësore.

Diagnostikimi i kancerit të prostatës

Nëse një pacient konsultohet me një mjek në lidhje me ankesat që mund të shkaktohen nga kanceri i prostatës, procesi diagnostikues zakonisht përfshin disa nga procedurat e mëposhtme:

  • Testi PSA (Antigjeni specifik i prostatës) për të matur nivelin e substancës së PSA-së të prodhuar nga prostata;
  • Testet e matjes së uroflow për të vlerësuar rrjedhjen e urinës;
  • Ekzaminimi me echo për të kontrolluar madhësinë dhe anatominë e prostatës;
  • Ekzaminimi rektal me gisht (DRE) i kryer me dorë për të ekzaminuar strukturën, formën dhe madhësinë e gjëndrës së prostatës;
  • Biopsia e prostatës për të analizuar në laborator një mostër të indeve të prostatës, nëse lind ndonjë dyshim për sëmundje malinje gjatë testeve të mëparshme.

Në Acıbadem, përdoren të gjitha metodat dhe teknikat më të përparuara për një diagnostikim sa më të saktë. Sistemi Esomed për diagnostikimin e hershëm të kancerit të prostatës bën të mundur që pacientët të mund të kontrollohen të veshur, duke shmangur në shumë raste nevojën për ekzaminim rektal me gisht. Biopsia e fuzionit me MRI/Echo përmirëson ndjeshëm saktësinë dhe besueshmërinë gjatë mbledhjes së mostrave të indeve të prostatës, pasi zonat e dyshimta zbulohen me saktësi të lartë nëpërmjet MRI-së multi-parametrike. Në të kaluarën, disa pacientë nuk mund të diagnostikoheshin në kohën e duhur sepse gjilpëra e biopsisë nuk arrinte të hynte në zonën e saktë. Gjatë procedurës së biopsisë së fuzionit me MRI/Echo, imazhet tre-dimensionale nga skanimi me echo rektale kombinohen (shkrihen) me ato nga skanimi me MRI, duke siguruar marrjen e mostrave nga vendi i duhur me saktësi milimetrike.

Nëse rezultatet e patologjisë konfirmojnë praninë e kancerit të prostatës, mund të rekomandohen teste dhe ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar nëse kanceri është përhapur në pjesë të tjera të trupit. Këto mund të përfshijnë një skanim me MRI, skanim me CT, skanim me PET ose skanim të kockave. Të gjitha pajisjet e teknologjisë më të avancuar që mund të nevojiten për diagnostikimin e kancerit të prostatës janë në dispozicion të menjëhershëm në Acıbadem, duke siguruar një proces diagnostikimi të shpejtë dhe të saktë.

Llojet e kancerit të prostatës

Më shumë se 95% e të gjithë kancereve të prostatës janë të një lloji të quajtur adenokarcinoma. Ai buron nga qelizat e gjëndrës së prostatës. Adenokarcinomat janë zakonisht kancer me rritje të ngadaltë dhe jo agresiv, megjithëse mund të kenë disa ndryshime. Adenokarcinoma duktale në përgjithësi është më agresive dhe përhapet më shpejt se rastet e adenokarcinomës acinare. Ekzistojnë gjithashtu disa lloje të rralla të kancerit të prostatës me origjinë nga qeliza të ndryshme të gjëndrës, të tilla si karcinoma me qeliza të vogla, karcinoma të qelizave skuamoze, kancer i qelizave kalimtare ose uroteliale, tumoret neuro-endokrine, sarkoma e indeve të buta. Lloji i kancerit të prostatës, së bashku me fazën dhe shkallën e tij, përcaktojnë strategjinë e trajtimit.

Fazat e kancerit të prostatës

Pasi konfirmohet diagnoza, përdoret stadifikimi për të përcaktuar përhapjen e sëmundjes, që do të thotë sa larg ka përparuar ajo. Stadifikimi i kancerit të prostatës është vendimtar në planifikimin e trajtimit dhe për prognozën e pacientit. Në përgjithësi, në fazën 1 dhe fazën 2, përhapja e tumorit është e kufizuar në gjëndrën e prostatës. Faza 3, kur tumori është rritur jashtë prostatës, zakonisht deri në fshikëzat seminale, quhet kancer i prostatës i avancuar lokalisht. Faza 4 e kancerit të prostatës do të thotë që sëmundja është përhapur në gjëndrat limfatike përreth ose në organet e largëta. Në disa raste, mund të bëjë metastaza edhe në kocka.

Në Acıbadem, në stadifikimin e kancerit të prostatës përdoret në mënyrë rutinë Gallium-68 PSMA PET. Ai siguron saktësi superiore në identifikimin e metastazave ose të rishfaqjeve në krahasim me imazhet konvencionale me tomografi të kompjuterizuar (CT) dhe shintigrafi. Gallium-68 PSMA radiofarmaceutik lidhet veçanërisht me membranën e qelizave tumorale në gjëndrën e prostatës. Kjo mundëson vlerësimin e tumorin, por gjithashtu vlerësimin nëse është përhapur në gjëndrat limfatike ose në kocka.

Trajtimi i kancerit të prostatës

Trajtimi për kancerin e prostatës planifikohet në mënyrë individuale, sipas llojit, madhësisë dhe agresivitetit të tumorit, si dhe moshës së pacientit, preferencave dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore. Procesi i trajtimit mund të përfshijë një ose më shumë nga opsionet e mëposhtme:

  • Mbikëqyrja aktive. Për një grup të madh të pacientëve me kancer të prostatës, trajtimi nuk do të jetë kurrë i nevojshëm. Këta janë burra me tumore të shkallës së ulët, progres të ngadaltë ose me “sëmundje të parëndësishme nga ana klinike”; kjo do të thotë që kanceri kurrë nuk ka shkaktuar simptoma dhe ka shumë të ngjarë që kurrë nuk do të dëmtojë pacientin ose nuk do të kërcënojë jetën e tij. Ata monitorohen nga afër dhe nëse sëmundja bëhet ndonjëherë një kërcënim i vërtetë, atëherë ajo trajtohet në kohën e duhur. Gati 2/3 e pacientëve nën mbikëqyrje aktive nuk do të kërkojnë kurrë trajtim aktiv dhe kështu, ata do të shmangin efektet anësore të trajtimit të panevojshëm.
  • Terapia NanoKnife. Kjo është një metodë e sigurt për trajtimin e përqendruar të kancerit të prostatës, e aplikuar si një alternativë ndaj kirurgjisë në pacientë të përzgjedhur. Procedura NanoKnife përdor impulse të shkurtra elektrike me energji të ulët për të shkatërruar qelizat e kancerit. Meqenëse kjo metodë nuk shkakton nxehje dhe ndryshime të temperaturës në inde, mund të merret në konsideratë për tumoret e vendosura afër nervave dhe uretrës.
  • Kirurgjia. Kjo është metoda më efektive e trajtimit për kancerin e kufizuar në gjëndrën e prostatës; përdoret gjithashtu në pacientët me kancer të avancuar të prostatës të kombinuar me opsionet e tjera të trajtimin. Kirurgjia e kancerit të prostatës zakonisht nënkupton heqjen e gjëndrës së prostatës, të quajtur prostatektomi radikale. Mund të kryhet si kirurgji e hapur ose laparoskopike. Prostatektomia radikale që ruan nervat kryhet shpesh në Acıbadem për pacientët e duhur. Në raste të zgjedhura, kjo metodë siguron trajtim efektiv dhe u siguron pacientëve shanse më të mira për të ruajtur funksionet e tyre të urinimit dhe funksionet seksuale pas shërimit.
  • Kirurgjia robotike e prostatës. Kirurgjia e ndihmuar nga roboti është një niveli tjetër i laparoskopisë. Në këtë rast, një pajisje robotike e quajtur Da Vinci menaxhohet nga një kirurg i ulur pranë një paneli komandimi. Kjo pajisje siguron një pamje të qartë 3-dimensionale të vendit ku do të kryhet ndërhyrja, e cila mund të zmadhohet me 12 herë në panelin e komandimit. Për më tepër, instrumentet robotikë në krahët e sistemit, të cilët mund të rrotullohen në një kënd prej 540 gradë, janë në gjendje të arrijnë zona që nuk mund të arrihen me dorë. Përfitimet për pacientët janë prerje më të vogla, më pak dhimbje, humbje minimale e gjakut dhe shërim më i shpejtë. Për më tepër, saktësia përfundimtare e sistemit robotik shpesh lejon heqjen e indeve të kancerit duke ruajtur strukturat dhe nervat kritike përgjegjës për mbajtjen e urinës dhe funksionet seksuale. Acıbadem ka të punësuar disa nga kirurgët dhe ekipet më me përvojë në kirurgjinë robotike në Turqi dhe në mbarë botën.
  • Trajtimi me rrezatim. Përdoret ose si trajtim kurativ për kancerin e prostatës të lokalizuar ose si ndërhyrje reduktuese (zvogëlim i masës së tumorit), ose si terapi paliative për pacientët me kancer lokal të avancuar ose me metastaza. Në Acıbadem kryhen të dy llojet e trajtimit: si rrezatimi me rreze nga jashtë duke përdorur pajisjet më të fundit të radioterapisë, edhe brakiterapia (ku burimet radioaktive vendosen brenda trupit).
  • Terapitë fokale (HIFU, Cryotherapy). Këto janë teknika jo invazive të përdorura për të shkatërruar qelizat e kancerit, përkatësisht duke nxehur ose ngrirë. Ato mund të aplikohen për trajtimin e tumoreve shumë të vegjël të lokalizuar në gjëndrën e prostatës ndërsa indet përreth prostatës mbeten të paprekura.
  • Trajtimi me medikamente. Ndryshe nga opsionet e tjera të trajtimit që aplikohen në vend, ilaçet e përdorura për të menaxhuar kancerin e avancuar të prostatës kanë për qëllim të arrijnë qelizat e kancerit në të gjithë trupin. Prandaj, ky quhet trajtim sistematik. Ka mundësi të ndryshme, duke përfshirë terapinë hormonale, e cila synon të zvogëlojë prodhimin e hormonit mashkullor të testosteronit që stimulon rritjen e qelizave të kancerit të prostatës; kimioterapinë e dhënë me ilaçe nga goja ose me injeksione; imunoterapinë ose terapinë e synuar që mund të aplikohet për pacientë të caktuar. Mjekët onkologë me përvojë në Acıbadem janë në gjendje të përzgjedhin opsionin më të mirë të trajtimit për secilin pacient bazuar në historinë e tij mjekësore dhe në eksperiencën e tyre të gjatë.
  • Terapia me Lutetium-177 PSMA. Ky është një opsion inovativ i trajtimit në fushën e mjekësisë nukleare. Është i përshtatshëm për pacientët me kancer të avancuar të prostatës, të njohur gjithashtu si kancer metastatik i prostatës, kur opsionet e tjera janë shterur. Antigjeni i membranës specifike të prostatës (PSMA) është një shënues specifik që gjendet në sipërfaqen e qelizave të kancerit të prostatës, përfshirë metastazat në të gjithë trupin. Izotopi radioaktiv Lutetium-177 administrohet me injeksion në qarkullimin e gjakut të pacientit. Ky është i kombinuar me një molekulë të aftë për të lokalizuar dhe për tu lidhur me receptorët PSMA në qelizat e kancerit, kudo që ato ndodhen brenda trupit. Prandaj, qelizat e kancerit synohen dhe shkatërrohen në mënyrë selektive nga rrezatimi. Terapia Lu-177 PSMA kontribuon në zgjatjen e mbijetesës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës edhe në pacientët me kancer prostate me metastaza dhe rezistent ndaj kastrimit, një situatë kur sëmundja nuk i përgjigjet më terapisë hormonale.

Për rezultate të suksesshme të trajtimit të kancerit të prostatës, Acıbadem zbaton një qasje në ekip. Specialistë shumë të aftë në disiplina të ndryshme mjekësore, përfshirë urologjinë, patologjinë laboratorike, radiologjinë, mjekësinë nukleare, kirurgjinë, onkologjinë mjekësore dhe radioterapinë, bashkojnë përpjekjet e tyre për të arritur rezultatin më të mirë për secilin pacient. Kujdesi i integruar është thelbësor për trajtimin e kancerit të prostatës dhe për kënaqësinë e pacientit, pasi të gjitha opsionet e trajtimit caktohen, vlerësohen dhe sigurohen në të njëjtin vend.

TRAJTIMI

TEKNOLOGJIA

ACIBADEM

×
Search