KUJDESI PËR ZEMRËN

KUJDESI PËR ZEMRËN

Numri në rritje i sëmundjeve kardiovaskulare është ndër shkaqet kryesore të vdekjes. Prandaj diagnostikimi dhe trajtimi i tyre duhet të kryhet nga mjekë me përvojë në spitale të mirë-pajisura me teknologji të përparuar mjekësore.

Qendrat e Kujdesit të Zemrës pranë Grupit të Kujdesit Shëndetësor ACIBADEM konkurrojnë në nivel të rangut botëror për të ofruar kujdesin për zemrën më modern në Turqi. ACIBADEM përdor pajisje të teknologjisë së fjalës së fundit për diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve kardiovaskulare.

Diagnostikimi i hershëm është me rëndësi të veçantë në aspektin e shpëtimit të jetës, prandaj Qendrat e Kujdesit të Zemrës ACIBADEM i kushtojnë një rëndësi të veçantë përdorimit të teknologjisë së përparuar në instrumentet diagnostikuese. Ndër instrumentet diagnostikues të përdorur janë Tomografia e kompjuterizuar me burim të dyfishtë me seksion prerje 2×64, e aftë për të kryer angioplastinë kardiake në 6 sekonda, PET CT që mundëson imazhe të hollësishme të zemrës dhe Flash CT. Flash CT është aparatura e tomografisë më e shpejtë në botë. Ajo është në gjendje të kryejë angioplastinë kardiake në 0.25 sekonda, ndërkohë që lëshon edhe nivelin e rrezatimit më të ulët në botë.

Treguesit e performancës mjekësore

Që nga viti 2002, Grupi i Kujdesit Shëndetësor ACIBADEM inspekton performancën e tij mjekësore dhe administrative përmes treguesve të performancës. Duke pasur si përparësi kryesore sigurinë dhe kënaqësinë e pacientit, ACIBADEM vëzhgon rezultatet që merr në kujdesin e zemrës – si edhe në të gjitha degët e tjera – si një udhëzues në ofrimin e një kujdesi më të mirë ndaj pacientëve.

  • Në kriteret “Euroscore” theksohet se shkalla e vdekshmërisë së pritur në operacionet e hapur të zemrës është 3.8%, ndërsa përqindja në ACIBADEM është 1.6%.
  • Në kriteret “Euroscore” theksohet se shkalla e vdekshmërisë në bypass-in koronar është 2.7%, ndërsa përqindja në ACIBADEM është 1.0%.

 

Çfarë është Euroscore?

Operacionet tek të moshuarit, tek pacientët diabetikë, ose tek pacientët me një histori sulmi në zemër, operacioni në zemër, çrregullimet e kontraktimit dhe zgjerimit të zemrës, si dhe të keqfunksionimit të veshkave, mëlçisë dhe mushkërive përballen me rreziqet më të larta. Duke marrë parasysh faktorë të tillë, për një vlerësim objektiv të pacientit ekzistojnë rezultate të ndryshme rreziku. Në bazë të këtyre rezultateve përllogariten shifrat e ponderuara të rrezikut. “Euroscore” është sistemi i pikëzimit që përdoret më shpesh.

Kujdesi gjithëpërfshirës i zemrës në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor ACIBADEM

ACIBADEM siguron një standard të lartë dhe bashkëkohor në diagnostikimin, trajtimin dhe shërbimet e tjera mbështetëse për sëmundjet kardiovaskulare tek të rriturit dhe tek fëmijët.

Sëmundja e arterieve koronare

Sëmundja e arterieve koronare është ndër sëmundjet më të shpeshta të zemrës. Gjaku mund të qarkullojë lirshëm nëpër një arterie koronare të shëndetshme, duke bërë të mundur furnizimin e zemrës me gjak të pasur me oksigjenin që i nevojitet asaj.

Nivelet e larta të kolesterolit dhe presionit të gjakut ose duhan-pirja mund të dëmtojnë pjesën e brendshme të arterieve. Si rezultat brenda mureve të arterieve formohen pllaka të cilat pengojnë rrjedhjen e gjakut. Kjo situatë sinjalizon fillimin e sëmundjes koronare të zemrës.

Sa më shumë pllaka të formohet në arterie, aq më e ngushtë bëhet arteria, duke zvogëluar më tej sasinë e gjakut që qarkullon në zemër. Kjo situatë shton mungesën e oksigjenit në zemër, duke shkaktuar dhimbje në gjoks.

Një arterie e bllokuar plotësisht nga mpiksjet e gjakut rezulton në një sulm në zemër (infarkt të miokardit). Mungesa e gjakut të pasur me oksigjen shkakton dëmtim të përhershëm të muskujve të zemrës.

Sulmi në zemër

Një sulm në zemër fillon kur bllokohen arteriet koronare që ushqejnë zemrën ose ndonjë prej degëve të tyre. Kjo rezulton në dëmtim të pakthyeshëm të muskujve të zemrës, ose në një sulm fatal në zemër. Sulmet në zemër janë më seriozet nga të gjitha sëmundjet koronare të zemrës.

Dy janë faktorët kryesorë që rrisin rrezikun e sulmit në zemër: “rreziqet e pandryshueshme” dhe “rreziqet e ndryshueshme”. Rreziqet e pandryshueshme përfshijnë faktorët gjenetikë, moshën dhe të qenit mashkull. Burrat dhe njerëzit që kanë familjarë me histori të hershme sulmi në zemër janë në rrezik më të madh. Rreziqet gjithashtu rriten me moshën.

Grupi i dytë janë “rreziqet e ndryshueshme”. Ulja e këtyre faktorëve të rrezikut varet plotësisht nga përpjekjet e individit. Duhan-pirja, presioni i lartë i gjakut (hipertensioni), diabeti, niveli i lartë i yndyrave në gjak dhe mbipesha janë të gjitha të përfshira në këtë grup.

Simptoma kryesore e një sulmi në zemër është një dhimbje në gjoks. Në rastet klasike të sulmeve në zemër, kjo dhimbje është e rëndë dhe shtypëse. Ndërhyrja e hershme ka një rëndësi ekstreme tek sulmet në zemër dhe të qenit i vetëdijshëm për simptomat i mundëson individit të kërkojë ndihmë mjekësore pa humbur kohë.

Sëmundjet e Valvulave Kardiake

Zemra ka katër valvula që hapen dhe mbyllen vazhdimisht, gjithmonë. Hapja dhe mbyllja jo adekuate e valvulave mund të rezultojë në sëmundje të valvulave kardiake.

Sëmundjet e valvulave mund të jenë kongjenitale ose të zhvilluara pas reumatizmit në fëmijëri, ose pas kalcifikimit në pleqëri.

Ankesat mund të ndryshojnë në varësi të valvulës së sëmurë. Simptomat fillojnë të shfaqen ndërkohë që ankesat rriten. Këto janë përgjithësisht këputje, prirje për tu lodhur më shpejt, palpitacione, ndjesia e të qenit i bllokuar, mos-ngopja me frymë dhe këmbët e ënjtura, të cilat sinjalizojnë një edemë në trup.

Para se të shfaqet ndonjë ankesë, sëmundjet e valvulave mund të diagnostikohen rastësisht gjatë kontrolleve rutinë, kur mjeku dëgjon një zhurmë në zemër. Ndërkohë që ankesat rriten, mund të bëhet diagnostikimi duke përdorur teknika të veçanta diagnostikuese si elektrokardiografia, grafia e kraharorit, ekokardiografia dhe kateterizimi i zemrës.

Aritmia

Tek aritmitë, problemet lindin si rezultat i rrahjeve të zemrës. Edhe pse aritmitë zakonisht hasen tek pacientët me sëmundje kardiake tashmë ekzistuese, ato gjithashtu mund të hasen edhe tek njerëzit që nuk kanë probleme shëndetësore.

Disa të sëmurë nuk janë të vetëdijshëm për këto probleme dhe diagnostikohen vetëm gjatë një kontrolli rutinë, ose pas një elektrokardiografie të bërë për një arsye tjetër. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i pacientëve këshillohen me mjekun me ankesa për palpitacione, rrahje të parregullta të zemrës, ndjesi të një çrregullimi në gjoks, ndjesi të zbrazëtisë në gjoks, marramendje, gjendje të fikti, ulje të aftësisë për ushtrime dhe mos-mbushje me frymë.

Endokardit

Endokarditi është inflamacioni mikrobik i shtresës së brendshme të zemrës, të quajtur endokard i cili përfshin gjithashtu valvulat e zemrës. Simptomat ndryshojnë në varësi të pjesës së infektuar të zemrës dhe llojit të baktereve që shkaktojnë infeksionin.

Pacientët trajtohen me antibiotikë intravenozë për të paktën 4-6 javë. Kirurgjia është një opsion në rastet e insuficiencës së zemrës të shkaktuar nga endokarditi ose nga trombo-embolia.

Është e domosdoshme që endokarditi të trajtohet. Në veçanti pacientët me sëmundje në zemër kanë nevojë për mbrojtje të kujdesshme.

Kardiomiopatitë (Sëmundjet e muskujve të zemrës)

Përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) në 1995, kardiomiopatitë janë sëmundje të muskujve të zemrës që rezultojnë në mosfunksionim të zemrës. Katër grupet e kardiomiopative janë si më poshtë:

  1. Kardiomiopatia e Dilatuar
  2. Kardiomiopatia hipertrofike
  3. Kardiomiopatia kufizuese
  4. Kardiomiopatia ventrikulare e djathtë aritmogjenike

Kardiomiopatitë shkaktohen nga shumë faktorë ku përfshihen sëmundjet e arterieve koronare, sëmundjet e valvulave të zemrës, hipertensioni, infeksionet sistemike, sëmundjet e sistemit metabolik, arsyet gjenetike dhe një variacion i helmimeve.

Kirurgjia mund të bëhet në ato rrethana kur nuk mund të aplikohen ilaçet ose ndërhyrjet.

Sëmundjet vaskulare kryesore

Aneurizmat e aortës abdominale: Dëmtimi në murin e aortës bën që arteria më e madhe që del nga zemra të zgjerohet deri në 1.5 herë të madhësisë së saj origjinale në zonën e barkut. Vërehet më shpesh tek burrat e moshuar. Në përgjithësi ka 2-3 raste në çdo 10 000 njerëz.

 

Njerëzit që pinë duhan, që kanë histori familjare me aneurizma, që janë të moshuar ose të gjatë, ose që kanë arterie të bllokuara, nivele të larta të kolesterolit, ose sëmundje kronike të mushkërive dhe hipertension, janë në rrezik për të pasur aneurizma të aortës abdominale.

Në më të shumtën e rasteve, aneurizmat e aortës abdominale nuk shfaqin ndonjë simptomë. Sëmundja zakonisht identifikohet kur pacienti konsultohet me mjekun për një ankesë tjetër mjekësore. Përafërsisht 25 % e pacientëve mund të vuajnë nga dhimbje të vazhdueshme ose të përkohshme të stomakut.

Aneurizma e aortës torakale: Këto janë aneurizma që formohen në aortë në zonën e gjoksit. Një zgjerim i lokalizuar prej afro 4 cm quhet aneurizëm. 1-1.5 % e pacientëve me aneurizma torakale janë mbi moshën 65 vjeç.

Pacientët e moshës mbi 65 vjeç janë më të prirur ndaj sëmundjes në vitet e mëvonshme. Aneurizmat e toraksit mund të shkaktohen nga disekacionet e aortës, histori familjare me aneurizëm, sëmundjet e indit lidhës (Sindroma Marfan), traumat dhe sëmundjet infektive.

Aneurizmat e aortës torakale në përgjithësi nuk shfaqin ndonjë simptomë. Aneurizmat e gjera mund të shkaktojnë dhimbje në gjoks, shpinë dhe bark. Ankesat janë të ngjashme me ato të një sulmi në zemër. Megjithatë, tek simptomat e tjera mund të përfshijmë gjithashtu disfoninë, vështirësinë në gëlltitje, kollitjen ose të vjellat dhe gjakderdhjen. Fillimi i papritur i këtyre simptomave mund të sinjalizojë praninë e një situate emergjente siç është çarja e aortës.

Disekacioni: Disekacioni i aortës është një grisje në murin e aortës. Progresi klinik mund të ndryshojë në varësi të vendndodhjes së grisjes së aortës.

Në shumicën e pacientëve, sëmundja shkaktohet nga hipertensioni. Mund të shkaktohet gjithashtu si rezultat i sëmundjeve të ndryshme si aneurizma e aortës, sëmundjet e indeve të kolagjenit, stenoza e aortës, koarktacioni i aortës, si dhe procedurat e tjera mjekësore që lidhen me aortën. Simptomat shpesh fillojnë me një dhimbje të papritur e të fortë në gjoks dhe shpinë, të përshkruar si të ngjashme me një goditje me thikë. Mund të shoqërohet gjithashtu me ankesa të tilla si djersitje, të pasurit ftohtë, të përziera dhe të vjella.

Embolitë periferike: Sëmundja vaskulare periferike (PVD) është ngushtimi ose shtrëngimi i venave përveç venave koronare që furnizojnë zemrën. Ngushtimi është aq i përparuar sa që organet nuk mund të furnizohen mjaftueshëm me gjak.

Diabeti, hipertensioni për një kohë të gjatë, çrregullimet e metabolizmit të yndyrave për një kohë te gjatë, histori të aterosklerozës (ngurtësimi i damarëve) në familje, sëmundja e cermës, aktivitet i pamjaftueshëm fizik dhe varësia ndaj nikotinës janë ndër faktorët e rrezikut.

Ankesa më e zakonshme është dhimbja. Sidoqoftë, karakteristikat e dhimbjes ndryshojnë: Njerëzit që kanë shtrëngim të damarëve vuajnë nga dhimbja pasi ecin për një distancë të caktuar. Ndërsa shtrëngimi rritet, distanca e ecjes zvogëlohet. Zakonisht ndjehet në formën e ngërçit. Sidoqoftë, dhimbja zhduket pasi pushoni për 2-5 minuta.

Vena të ngushtuara (Tromboza venoze): Ngushtimet e venës të shkaktuara nga një mpiksje e vogël në vena ndonjëherë mund të mos kenë kurrfarë simptome. Sidoqoftë, edhe mpiksja më e vogël në varësi të vendndodhjes së saj mund të jetë kërcënuese për jetën. Metodat kirurgjikale zbatohen tek pacientët që nuk i përgjigjen trajtimit mjekësor, të cilët vuajnë nga rreziku i gangrenës, dhe që kanë emboli pulmonare intensive.

Venat varikoze

Venat varikoze përcaktohen si vena të zgjeruara, të zgjatura dhe të përdredhura të këmbëve. Ato vërehen në 10-20% të popullsisë në perëndim. Mundësia e venave varikoze është në proporcion me moshën. Një në dy persona mbi moshën 50 vjeç vuan nga venat varikoze.

Ekzistojnë 4 lloje të venave varikoze:

Rrjeta e merimangës: Këto vena vendosen sipërfaqësisht në lëkurë. Ato kanë një diametër prej 1 mm ose më të vogël, nuk mund të ndihen me prekje dhe zakonisht janë me ngjyrë të kuqe. Ato kanë forma lineare të përhapura në formën e një ylli ose të një rrjete merimangash dhe mund të përhapen në të gjithë këmbën.

Varikoza retikulare: Është e vështirë të ndjehet kjo lloj vene, e cila është vetëm pak e ënjtur në lëkurë, ka një diametër më të vogël se 4 mm, dhe ka ngjyrë blu.

Venat varikoze tek venat e mëdha (vena varikoze Safena): Këto janë vena varikoze që ndihen dhe shihen lehtësisht, dhe që formojnë kthesa të mëdha përgjatë safenës së madhe dhe të vogël. Ato kanë diametër më të vogël se 3 mm. Ndërsa gjarpërojnë nën lëkurë, ato zakonisht nuk e ndryshojnë ngjyrën e lëkurës dhe shfaqin vetëm refleksin e gjelbër të dukshëm të venës. Ënjtjet bëhen të theksuara kur pacientët qëndrojnë në këmbë dhe zhduken kur këmbët ngrihen ndërsa pacientët shtrihen.

 

Venat varikoze të mëdha e të thella: Këto janë në shtresën e thellë të këmbës. Venat varikoze nuk mund të vërehen në lëkurë, megjithatë shkaktojnë edemë dhe çrregullim të qarkullimit në këmbë.

Ato janë më të zakonshme tek gratë sesa burrat, si dhe tek njerëzit me histori familjare të venave varikoze. Venat varikoze gjithashtu mund të shkaktohen si pasojë e mbipeshës, plakjes, shtatzënisë, menopauzës, qëndrimit të zgjatur në këmbë, ngushtimeve dhe çrregullimeve të valvulave në venat e thella.

Shkaku i saktë i venave varikoze është i panjohur. Shkaku kryesor është zmadhimi i venës për shkak të një deformimi strukturor në murin e venës. Kjo çon në një rrjedhje të kundërt të gjakut për shkak të mosfunksionimit të valvulave në venë. Kjo rrjedhje e kundërt e bën më të vështirë kthimin e gjakut në zemër, duke rritur gradualisht presionin në vena. Rritja e presionit zgjeron më tej venat, duke krijuar një cikël të mbyllur.

Venat varikoze gjithashtu kanë shkaqe më pak të zakonshme. Në individët që kanë vena të thella të ngushta, vena sipërfaqësore që mbart 10 % të gjakut në këmbë merr përsipër të gjithë kthimin e gjakut venoz në këmbë. Prandaj diametri rritet dhe formon venat varikoze.

Sëmundjet e lindura të zemrës janë ndër anomalitë më të zakonshmet që zhvillohen në barkun e nënës. Sëmundjet e lindura të zemrës shkaktojnë 15% të vdekjeve të foshnjave në 30 ditët e para të periudhës neonatale.

8 foshnje nga 1000 lindin me sëmundje të lindura të zemrës. Kjo është e barabartë me 1 % të lindjeve të gjalla.

Ekzistojnë një larmi e sëmundjeve të zemrës tek fëmijët. Specialistët i kategorizojnë në tre sëmundjet e zemrës para lindjes:

  • Sëmundjet e lindura të zemrës
  • Sëmundjet reumatike të zemrës
  • Çrregullimet e përcjelljes së ritmit

Sëmundjet e lindura të zemrës

Sëmundjet e lindura të zemrës janë ndër sëmundjet më të zakonshme të zemrës që shihen tek foshnjat. Çrregullimet në këtë kategori përfshijnë anomali që shfaqen gjatë zhvillimit të fetusit. Ekzistojnë qindra variacione, disa prej tyre janë të lehta, disa të tjera shkaktojnë probleme të rënda dhe të ndërlikuara.

Çrregullimet e përcjelljes së ritmit

Këto janë parregullsi në sistemin elektrik të zemrës dhe bëhen të dukshme si ritme anormalisht të ngadalta, si pauza ose si të përshpejtuara. Megjithëse vërehen kryesisht tek të rriturit, ato gjithashtu mund të hasen tek foshnjat me sëmundje të lindura të zemrës, pas një operacioni në zemër ose pa ndonjë arsye të dukshme. Megjithëse me një përqindje më të ulët të shfaqjes sesa sëmundjet më të zakonshme të zemrës, mund të shfaqen në rastet e sëmundjeve të muskujve ose të membranës së zemrës, siç janë kardiomiopatia, miokarditi dhe perikarditi.

Sëmundjet reumatike të zemrës

Reumatizma është një sëmundje që shkakton probleme në organet e origjinës. Infeksionet e fytit janë një nga shkaqet më të zakonshme të tij. Mikrobet e quajtura “streptokoku hemolitik” vendosen në fyt dhe infektojnë zonën. Ata gjithashtu mund të vendosen në zemër dhe të shkaktojnë deformim, ngushtim ose pamjaftueshmëri në valvulat e zemrës.

Diagnoza dhe trajtimi i sëmundjeve më të zakonshme të lindura të zemrës

Anomalitë tek foshnjat e lindura me sëmundje kardiake ndonjëherë mund të jenë aq të lehta sa trajtimi është i panevojshëm; ndërsa në raste të tjera ato mund të përparojnë në nivele që janë të rrezikshme për jetën. Sëmundjet e rënda të lindura të zemrës zakonisht diagnostikohen në foshnjëri. Sidoqoftë, ndërhyrja kirurgjikale ka një shkallë të lartë korrigjimi, edhe në raste të anomalive të rënda.

Metodat diagnostikuese

Sëmundjet e rënda të lindura të zemrës zakonisht diagnostikohen që në foshnjëri pasi bebet me anomali të tilla shfaqin simptoma të rënda që në lindje. Sidoqoftë, ndonjëherë diagnostikimi nuk bëhet deri në fëmijëri ose as më vonë në moshë madhore. Kjo ndodh kur anomalia e lindur është shumë e vogël. Në disa raste, personi mund të kalojë tërë jetën e tij / saj pa shfaqur simptoma dhe probleme.

Një kardio-pediatër bën një ekzaminim fizik dhe analiza të ndryshme në mënyrë që të jetë në gjendje të diagnostikojë sëmundjen.

Elektrokardiografia (EKG) është një pajisje që ndjen rrymat e dobëta elektrike në zemrën e fëmijës dhe regjistron rrahjet e zemrës në një letër EKG-je. Në ekzaminim nuk aplikohet rrymë elektrike dhe fëmija nuk ndjen dhimbje.

Kardio-pediatri merr informacione për madhësinë dhe formën e zemrës dhe të mushkërive të fëmijës duke kryer një grafi të kraharorit. Niveli i rrezatimit të përdorur në grafinë e kraharorit është shumë i ulët dhe nuk ka efekte anësore.

Ekzaminimi i ekokardiografik bën të mundur monitorimin me imazhe të drejtpërdrejta përmes përdorimit të valëve të tingullit nga jashtë kraharorit. Qarkullimi i gjakut në zemër dhe në vena matet duke përdorur valë zanore me teknikën Doppler. Këto dy teknika i japin kardio-pediatrit informacion në lidhje me strukturën dhe funksionin e zemrës. Shumica e anomalive kardiake diagnostikohen duke përdorur këtë metodë ekzaminimi.

Ekokardiografia fetale është një metodë e ngjashme me ultrasonografinë, e cila mund të përdoret pas javës së 16-të të shtatzënisë. Nuk dëmton as nënën as foshnjën. Bën të mundur ekzaminimin e gjendjes dhe funksionit të zemrës dhe të venave kardiake të fetusit, si dhe identifikimin e ndonjë anomalie kardiake para lindjes.

Kateterizimi i zemrës – angiografia është një metodë e përparuar ekzaminimi që përdoret me ndihmën e një makinerie shumë të zhvilluar me rreze X. Zakonisht kryhet me ndihmën e një tubi të hollë (kateter) të futur në aortë ose në vena përmes zonës inguinale që drejtohet për në zemër.

Testi i Effort-it kryhet duke regjistruar vazhdimisht elektrokardiografinë e zemrës ndërsa fëmija ecën në një pistë me një ritëm të përshpejtuar.

Elektrofiziologjia e zemrës: Çrregullimet e lindura ose operacionet në zemër ndonjëherë mund të shkaktojnë çrregullime të ritmit të zemrës. Shkaku dhe lloji i çrregullimit mund të përcaktohet me anë të një testi të veçantë të ngjashëm me kateterizimin e zemrës, të quajtur elektrofiziologjia e zemrës. Kjo mundëson që shkaku i aritmisë dhe shtigjet anormale të përcjelljes të trajtohen duke përdorur një metodë të quajtur ablacion – kauterizim(djegie) me valë radiofrekuence – sipas nevojës.

MR-ja e zemrës: Në disa foshnje, mund të mos jetë e mundur të diagnostikohet plotësisht një sëmundje e zemrës pavarësisht të gjitha testeve të kryera. Në raste të tilla, teknika të caktuara të avancuara si MR-ja (Rezonanca magnetike) ose angiografia me MR mund të bëhen të nevojshme për të mundësuar diagnozën e saktë. Këto teste i japin mjekut informacion të vlefshëm në lidhje me strukturën e venave kryesore që hyjnë dhe dalin nga zemra si dhe me venat pulmonare.

TRAJTIMI

Si trajtohen sëmundjet e lindura të zemrës?

Sëmundjet e zemrës që trajtohen me ilaçe

Insuficienca kongjestive e zemrës

Çfarë do të thotë? Nëse funksioni i pompimit të zemrës nuk është siç duhet, atëherë grumbullohet lëng në mushkëri dhe organe të tjera, duke shkaktuar edemë (ënjtje). Kjo situatë haset mjaft shpesh në një numër anomalish të zemrës.

Trajtimi: Muskujt e zemrës forcohen duke përdorur ilaçe përfshirë digoksinën. Medikamentet diuretike gjithashtu mund të administrohen për të ndihmuar shkarkimin e lëngut të tepërt të grumbulluar në trup.

Çrregullime të ritmit kardiak

Ekzistojnë tre lloje të ndryshme të çrregullimeve të ritmit kardiak:

Takikardia: Kjo është rrahja shumë e shpejtë e zemrës së një fëmije. Tek fëmijët, zemra rreh nga 60 deri në 150 herë në minutë në varësi të moshës. Rrahja e tepërt mund të shkaktojë lodhje në zemër. Sidoqoftë, takikardia nuk është gjithmonë një shenjë e sëmundjes kongjenitale të zemrës. Terapia me ilaçe mund të përdoret për të ulur rrahjet e zemrës në një nivel normal.

Bradikardia: Kjo është rrahja shumë e ngadaltë e zemrës së një fëmije. Mund të përkeqësojë funksionin e pompimit të gjakut të zemrës. Edhe pse zakonisht është e lindur, në raste të rralla, mund të zhvillohet edhe pas operacionit. Në disa fëmijë, mund të jetë e nevojshme të implantohet një pajisje (Pacemaker) që mundëson që zemra të rrahë normalisht.

Aritmia: Kjo është parregullsi e rrahjeve të zemrës. Mund të jetë e lindur ose të zhvillohet pas operacionit. Ajo duhet të mjekohet sipas llojit të parregullsisë së ritmit kardiak.

Sëmundjet e zemrës që trajtohen duke përdorur kateterizimin

Septostomia me balon

Kjo është një procedurë e përdorur në trajtimin e anomalive të caktuara të zemrës, siç është transpozimi i arterieve të mëdha (TGA) për të zgjatur jetën e një foshnje deri në ndërhyrjen kirurgjikale.

Valvotomia, Angioplastika me balon

Disa nga valvulat e ngushta të zemrës dhe venat koronare zgjerohen duke përdorur një balon gjatë kateterizimit. Edhe pse ngushtimi mund të ripërsëritet, kjo procedurë i jep fëmijës kohë të rritet.

Embolizimi dhe pajisja ombrellë

Disa defekte të septumit atrial (ASD) dhe duktusit patent arterioz mund të trajtohen me kateterizim. Sidoqoftë, zbatimi i këtyre procedurave kërkon përshtatshmëri si të madhësisë së pacientit, ashtu edhe për vendndodhjen dhe gjerësinë e defektit.

Elektrofiziologjia dhe Ablacioni

Në pacientë të caktuar pediatrikë, problemet me ritmin mund të trajtohen me kauterizim duke përdorur një metodë të quajtur “ablacion”. Në raste të tilla, shkaku i problemit duhet të gjendet duke përdorur kateterizimin kardiak (një studim elektrofiziologjik).

Sëmundjet e zemrës që trajtohen me kirurgji

  1. Sëmundjet e zemrës pa cianozë

Këta pacientë zakonisht kanë një defekt septal, ngushtim ose çrregullim tek venat ose valvulat. Nuk kanë cianozë pasi gjaku venoz nuk qarkullon në trup. Në përgjithësi, vërehen simptoma të insuficiencës së zemrës.

Duktus Patent Arterios (PDA)

Defekti i Septumit atrial (ASD)

Defekti i Septumit Ventrikular (VSD)

Defekti i Septumit Atrioventrikular (AVSD)

Stenoza e Aortës (AS)

Koarktacioni i Aortës (AoCoA)

  1. Sëmundjet e zemrës me cianozë

Në kushte normale, gjaku i pompuar nga zemra në trup është i pasuruar me oksigjen dhe ka ngjyrë të kuqe të lehtë. Sidoqoftë, në sëmundjet e zemrës të karakterizuara me cianozë, gjaku i pompuar në trup është i privuar nga oksigjeni dhe ka ngjyre më të errët. Në raste të tilla, lëkura e foshnjës duket e mavijosur. Shkalla e kësaj gjendjeje, e quajtur edhe cianozë, mund të ndryshojë në varësi të patologjisë, moshës dhe aktiviteteve të pacientit.

Tetralogjia e Fallotit (TOF)

Stenoza Pulmonare (PS)

Transpozimi i Arterieve të Mëdha (TGA)

Atresia Tricuspidale (TA)

Atresia Pulmonare (PA)

Trunkus Arterios

Drenimi Venoz Pulmonar Total Anomal (TAPVD)

Sindromi Hipopastik i Zemrës së Majtë (HLHS).


Related Patient Stories

Zemra, nje nga operacionet me te rrezikshme
Zemra, nje nga operacionet me te rrezikshme

Pacienti i quajtur Adriatik Kovaci, per shakak te problemeve me zemren, ka ardhur per kurim ne Grupin e Spitaleve Acibadem. Qellimi i shtrimit te pacientit ishte per operacionin e Ndrimit te Valves se Zemres dhe ky eshte vertet nje operacion i rrezikshem dhe kerkon shume kujdes. Per me teper pacienti vuante edhe nga hemoroidet, te […] Read More
Amina Halilic – Heart Care – Bosnia
Amina Halilic – Heart Care – Bosnia

Wasn’t able to be treated in Switzerland but was cured in Turkey Robotic surgery, in Turkey, used to treat 16 year old girl from Bosnia Herzegovina, with heart valve troubles. With a heart valve condition, 16 year old Amina Halilic from Bosnia Herzegovina, was first taken to Switzerland by her parents. Here, she was told […] Read More

Related News & Articles

Ditët e Zemrës në Acıbadem II
Ditët e Zemrës në Acıbadem II

Në botë, çdo vit lindin më shumë se 1 milion bebe me sëmundje të lindur të zemrës. Më 23 nëntor 2019, Acıbadem organizoi një event një-ditor në Spitalin Acıbadem Altunizade në Stamboll, i cili i’u kushtua “Transpozimit të arterieve të mëdha: Nga i porsalinduri tek pacienti në moshën madhore”. Ky simpozium mblodhi kardiologë pediatrikë dhe […] Read More
Epoka TAVI në riparimin e valvulës së aortës!
Epoka TAVI në riparimin e valvulës së aortës!

Përdorimi i Metodës TAVI ka filluar të bëhet më i zakonshëm në të gjithë botën si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe një qasjeje që i jep përparësi rehatisë së pacientit. Ajo bën të mundur që sëmundjet e valvulës së aortës të trajtohen pa nevojën për kirurgji të hapur. Deri para disa vitesh, pacientët me kalçifikim […] Read More
Epoka TAVI Në riparimin e valvulave të aortës!
Epoka TAVI Në riparimin e valvulave të aortës!

Metoda TAVI, përdorimi i se cilës ka filluar të jetë më i zakonshëm në të gjithë botën si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe një qasje që i jep përparësi ngushëllimit të pacientit, bën të mundur trajtimin e sëmundjeve të valvulës se aortes pa pasur nevojë për kryerjen e kirurgjise  së hapur. Disa vjet më parë, […] Read More
×
Search