Qendra për mbjelljen e flokëve

Qendra për mbjelljen e flokëve

Qendra për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem dhe stafi ynë mjekësor me përvojë i cili është i specializuar në këtë fushë është zgjidhja e përsosur për trajtimet e mbjelljes së flokëve në një mjedis që i jep kujdesin më të madh shëndetit dhe mirëqenies tuaj.

Çfarë është mbjellja e flokëve?

Rënia e flokëve mund të jetë një përvojë stresuese për këdo, pavarësisht nga mosha dhe gjinia; megjithatë, ajo është veçanërisht më e zakonshme tek burrat. Kjo është arsyeja pse mbjellja e flokëve, në kirurgjinë kozmetike, konsiderohet si një nga trajtimet që të ndryshojnë jetën, për njerëzit të cilëve po ju bien apo që u kanë rënë flokët për arsye gjenetike ose për arsye të tjera.

Operacionet e mbjelljes së flokëve kanë qenë gjithmonë të njohura ndër personat e famshëm. Historitë e trajtimit të mbjelljes së flokëve te personat e famshëm, si Elon Musk ose Wayne Rooney, janë shfaqur në lajmet tona të përditshme këto ditë. Falë disa zhvillimeve në teknologjitë mjekësore të përdorura në terren gjatë viteve të fundit, mbjellja e flokëve është bërë shpejt një zgjidhje popullore për shumë njerëz pasi tani ajo është e arritshme më shumë se kurrë, duke pasur një shërim më të shpejtë dhe një proces më pak të dhimbshëm.

Në fushën ende në zhvillim të operacionit të mbjelljes së flokëve kryesisht aplikohen tre procedura të ndryshme; megjithatë, në thelbin e saj, mbjellja e flokëve mund të përkufizohet si transferimi i folikulave të shëndetshme të flokëve nga pjesë të caktuara të kokës në pjesë që kanë flokë të hollë ose që janë pa flokë. Duke qenë një zgjidhje e përhershme, ky trajtim ka një shërim relativisht të shpejtë dhe të lehtë, megjithëse koha e shërimit mund të ndryshojë në varësi të metodës së përdorur. Nëse ndiheni të prekur psikologjikisht nga rënia e flokëve, nuk duhet të ketë asnjë arsye që t’ju ndalojë të merrni trajtimin mjekësor pranë Qendrës për  Mbjelljen e Flokëve Acıbadem. Këtu sigurohet një teknologji e fjalës së fundit e cila lehtësisht mund të largojë efektet negative të humbjes së flokëve.

Procedurat e mbjelljes së flokëve në Turqi

Me vendndodhjen e saj gjeografike lehtësisht të arritshme, vendet e bukura historike, peizazhet natyrore dhe opsionet e shumta për akomodimin nga vendet luksoze në ato të përshtatshme për buxhetin tuaj, Turqia është tashmë një lojtar i rëndësishëm që ka provuar statusin e saj udhëheqës në turizëm dhe në turizmin shëndetësor. Kombinuar me faktin që  Turqia zotëron qendra të përparuara mjekësore dhe ekspertë në fushën e mbjelljes së flokëve, ajo është bërë sigurisht një nga zgjedhjet më të preferuara për operacionet e mbjelljes së flokëve ndër vite. Duke marrë parasysh se kosto e mbjelljes së flokëve në Turqi është shumë më e ulët krahasuar me çmimet në Mbretërinë e Bashkuar, SH.B.A. dhe Evropë, opsionet e mbjellës së flokëve në Turqi kanë dalë në plan të parë.

Sa kushton mbjellja e flokëve? 

Sigurisht, nuk ka asnjë çmim të paracaktuar për operacionet e mbjelljes së flokëve askund në botë. Sidoqoftë, në Mbretërinë e Bashkuar, çmimi i përafërt për një operacion të tillë ndryshon nga 5,000 në 15,000 £, ndërkohe që në SH.B.A ndryshon nga 4,000 deri në 20,000 $. I njëjti operacion në Turqi kushton shumë më pak, madje duke përfshire edhe akomodimin në hotele luksoze, transportin, tarifat e përkthimit dhe kujdesin pas operacionit. Për më tepër, ju mund të qëndroni në Turqi pas shërimit nga operacioni dhe të shijoni qytetet dhe peizazhet e mrekullueshme me çmime të arsyeshme.

Pse të zgjidhni Qendrën për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem?

Popullariteti i Turqisë midis pacientëve që kanë nevojë për mbjellje të flokëve në të gjithë botën ka shkaktuar gjithashtu disa efekte negative. Në vitet e fundit, në të gjithë vendin janë hapur shumë klinika turke për  mbjelljen e flokëve. Për shkak të diferencimit të madh dhe të paqëndrueshëm të diapazonit të çmimeve, të ashtuquajturve “ekspertë” jo profesionistë, dhe mungesës së vlerësimeve të pacientëve mbi mbjelljen e flokëve në Turqi për këto klinika, gjetja e një vendi të besueshëm dhe profesional për të kryer trajtimin e mbjelljes së flokëve me kirurgë me përvojë në një mjedis sanitar dhe higjienik që garanton mirëqenien tuaj tani është bërë një proces mjaft konfuz dhe i vështirë. Duke pasur një staf mjekësor profesional dhe kirurgë të cilët janë të specializuar në fushën e kirurgjisë kozmetike dhe mbjelljes së flokëve, Qendra për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem ofron metoda të mbjelljes së flokëve të provuara nga ana mjekësore. Një përvojë 30-vjeçare dhe një rrjet mbarëkombëtar i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, i përbërë nga 21 spitale dhe 13 qendra mjekësore, me mbi 3,500 mjekë dhe 4,500 infermierë, e bën Acıbadem-in një emër prestigjioz dhe të konfirmuar në mbjelljen e flokëve, jo vetëm në Turqi, por gjithashtu në Bullgari, Maqedoni dhe Holandë, me spitale që ofrojnë shërbime të ndryshme të kujdesit shëndetësor.

Kur merrni një trajtim të caktuar siç është trajtimi i mbjelljes së flokëve, çdo pacient ka të drejtë të sigurohet se trajtimi do të ketë rezultatin më të mirë të mundshëm. Duke pasur parasysh këtë parim, Qendra për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem ju ofron opsionet më të mira për mbjelljen e flokëve, me teknologjitë më të fundit mjekësore dhe kirurgë të specializuar, duke u siguruar që udhëtimi juaj mjekësor në Turqi të mbetet gjithmonë një kujtim i bukur.

Metodat e mbjelljes së flokëve

Teknologjia e mbjelljes së flokëve ka bërë një rrugë të gjatë në një kohë relativisht të shkurtër. Në fillimet e operacioneve të mbjelljes së flokëve, përkatësisht para viteve 1940, teknikat e kirurgjisë së mbjelljes së flokëve ishin jashtëzakonisht të kufizuara dhe ekspertiza në këtë fushë nuk mund të krahasohet në asnjë lloj forme me standardet e sotme. Në vitin 1939, një dermatolog japonez me emrin Shoji Okuda përshkroi eksperimentet e para të mbjelljes së flokëve në botën moderne mjekësore. Megjithëse nuk dihet shumë për procedurën, ai përdori një teknikë shumë të ngjashme me mbjellja e flokëve FUE. Me pak fjalë, Okuda nxori folikulat e flokëve me prerje të vogla rrethore dhe i mbolli në zonën pa flokë të kokës së pacientit të tij. Sipas deklaratave të tij operacioni ishte një sukses.

Zhvillimi tjetër që vlen të përmendet në fushën e mbjelljes së flokëve ndodhi në fillim të viteve 1950. Një tjetër dermatolog i aftë me emrin Norman Orentreich, i konsideruar si babai i mbjelljes moderne të flokëve, filloi të zhvillonte eksperimente në këtë fushë. Ai u përpoq të zhvendoste grupe të folikulave të flokëve me anë të teknikës së tij. Ai gjithashtu zbuloi se folikulat e marra mund të rritnin flokët në pjesët jo të shëndetshme ose në ato pa flokë. Meqenëse metoda e tij përfshinte shkëputjen e grupeve të folikulave me çdo shpim, rezultatet nuk ishin aq të natyrshme sa pacienti dëshironte. Në dekadat në vijim, ekspertët në të gjithë botën zhvilluan metoda të reja për të marrë rezultate më të mira duke i bërë shpimet në kokë gjithnjë e më të vogla. Në teknologjinë e sotme, tre teknika janë bërë të njohura për kirurgët. Këto metoda janë FUE, FUT dhe DHI.

FUE (Nxjerrja e njësisë folikulare)

Nxjerrja e Njësisë Folikulare, e shkurtuar si mbjellja e flokëve FUE, është një nga përparimet më të fundit në teknikat e mbjelljes së flokëve. Duke u mbështetur në zbulimet e para të Shoji Okuda, kjo teknikë e heqjes së njësive folikulare në mënyrë individuale duke përdorur gjilpëra dhe shpime të lëkurës u përdor për herë të parë në 1989. Sidoqoftë, i duhej ende kohë që të modernizohej për të arritur popullaritetin e saj sot. Në dekadat vijuese, shpimet dhe tehet e përdorura në këtë teknikë u bënë gjithnjë e më të vogla. Fakti që metoda FUE siguroi një aftësi të saktë vendimmarrëse për kirurgët e specializuar dhe se rezultati përfundimtar ishte me pamje natyrale e bëri këtë metodë më të popullarizuarën ndër tre teknikat kryesore në fushën e mbjelljes së flokëve.

Ekzistojnë tre lloje të ndryshme të mbjelljes së flokëve FUE. Këto janë:

Sapphire FUE

Në operacionet Sapphire FUE, në vend të gjilpërave të çelikut, përdoren tehet e safirit për të shkëputur graftin dhe folikulat. Këto tehe safiri mundësojnë një saktësi edhe më të madhe të prerjes gjatë operacionit dhe kohë më të shpejtë rikuperimi për pacientët, e cila zgjat afërsisht një javë.

microFUE

Metoda microFUE është metoda më precize midis të gjitha teknikave FUE. Në teknikën microFUE përdoren gjilpërat e holla, me një diametër prej 0.6-0.8 mm, të bashkangjitura me një mikro motor. Kohëzgjatja e operacionit është më e shkurtër në krahasim me teknikat e tjera, falë mikromotorit të përdorur në këtë metodë.

FUE pa qethje të kokës

Teknika FUE pa qethje të kokës preferohet për pacientët që nuk duan të qethin plotësisht kokën para operacionit kirurgjikal. Pasi lihen flokët të rriten në pjesën e pasme dhe në anët e kokës, një pjesë drejtkëndëshe e flokëve nga pjesa e pasme e kokës qethet, dhe njësitë folikulare të flokëve hiqen nga ky seksion dhe transferohen në pjesët e dëshiruara të kokës. Kjo pjesë drejtkëndëshe e flokëve mund të fshihet duke krehur flokët më të gjatë që janë në pjesën e sipërme dhe në anët e kokës, derisa ajo të shërohet plotësisht.

FUT (Mbjellja e njësisë folikulare)

Mbjellja e flokëve FUT është një teknikë më e vjetër krahasuar me teknikat FUE dhe DHI. Kjo është arsyeja pse teknikat FUE dhe DHI përdoren më shpesh në botën e sotme të mbjelljes së flokëve dhe teknika FUT nuk preferohet dhe nuk përdoret më nga qendrat e mbjelljes së flokëve me përvojë dhe të përparuara teknologjikisht. Dallimi midis operacionit të mbjelljes së flokëve FUE dhe FUT është se në teknikën FUT njësitë e folikulit hiqen dhe transferohen në grupe, në vend të një transferimi një nga një. Kjo e bën teknikën më të përshtatshme për rastet kur nevojitet që të mbillet një pjesë e madhe e flokëve, dhe për këto raste jep rezultate më të mira krahasuar me transferimin individual të folikulit. Megjithatë, ajo ka disa të meta, të tilla si periudhë më e gjatë dhe më e dhimbshme e shërimit. Për më tepër, operacioni kirurgjikal lë një shenjë në formën e një shiriti horizontal në pjesën e prapme të kokës, megjithëse mund të fshihet me lehtësi me rritjen e flokëve.

DHI (implantimi direkt i flokëve)

Metoda DHI është metoda më e fundit në botën e mbjelljes së flokëve. Funksionon në mënyrë të ngjashme me metodën e mbjelljes së flokëve FUE, ku folikulat e flokëve shkëputen dhe mbillen një nga një. Faktori i diferencimit është mjeti i përdorur në metodën DHI. Ndërsa kryen një operacion FUE, kirurgu duhet të hapë vrima të vogla për të mbjellë folikulat në pjesën pa flokë të kokës duke përdorur një pajisje tjetër. Sidoqoftë, metoda DHI kombinon heqjen dhe mbjelljen e folikulave të flokëve në një proces, me një mjet të specializuar të ngjashëm me një  stilolaps; duke shkurtuar në mënyrë të konsiderueshme kohëzgjatjen e operacionit.

Fazat e udhëtimit për mbjelljen e flokëve

Pasi të mbërrini në mënyrë të sigurt në Turqi dhe të akomodoheni në hotelin tuaj, mund të vizitoni Qendrën për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem për të filluar testet e kërkuara, ekzaminimin paraprak dhe analizat e hollësishme, në mënyrë që të vendosni për metodën më të mirë që do të përdoret gjatë operacionit. Ky proces përfshin gjithashtu përcaktimin se sa grafte do të përdoren. Në këtë fazë, ju mund të bëni çdo pyetje që ju vjen në mendje dhe të konsultoheni me ekspertët mjekësorë të Acıbadem, për të marrë përvojën dhe rezultatin më të mirë nga operacioni juaj.

Pas testeve përfundimtare të gjakut dhe përgatitjeve për operacionin, do të drejtoheni në sallën e operacionit kur të jeni gati. Pasi të aplikohet një anestetik lokal në skalpin tuaj të kokës, kirurgu do të kryejë operacionin duke përdorur teknikën e mbjelljes së flokëve që gjatë fazës para operacionit u zgjodh nga ekspertët si teknika më e përshtatshme për ju. Pas operacionit, mund të dilni nga spitali në të njëjtën ditë. Stafi mjekësor me përvojë në Qendrën për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem do t’ju ofrojë kujdesin pas operacionit që ju nevojitet dhe do t’i kushtojë vëmendjen më të madhe mirëqenies suaj. Nëse është e nevojshme, në ditët e ardhshme mund të caktohen takime shtesë në mënyrë që të kontrolloni progresin e shërimit tuaj. Pavarësisht nga teknika e përdorur në rastin tuaj, ju do të jeni në gjendje të ktheheni në jetën tuaj të përditshme në më pak se një javë dhe do të shëroheni pothuajse plotësisht brenda një muaji.

FAQ

  • A është e përhershme mbjellja e flokëve?

Zona dhuruese e zgjedhur për operacionin e mbjelljes përmban folikulat më të forta të flokëve. Për këtë arsye, ju nuk do të humbni flokët në pjesën e kokës tuaj ku është kryer operacioni i mbjelljes së flokëve. Pothuajse në çdo rast flokët tuaj të mbjellë do të jenë të përhershëm.

  • Cila metodë e mbjelljes së flokëve është e përshtatshme për mua?

Vendimi për metodën e mbjelljes së flokëve nuk është i mundur pa kryer testet e nevojshme dhe ekzaminimin paraprak. Ekspertët kryesorë mjekësorë në fushën e mbjelljes së flokëve do të jenë në gjendje të përcaktojnë teknikën më të përshtatshme për ju gjatë takimit tuaj para operacionit në Qendrën për Mbjelljen e Flokëve Acıbadem.

  • A ka nevojë për anestezi për mbjelljen e flokëve?

Po, para operacionit në skalpin tuaj të kokës do të aplikohet anestezi lokale me ndihmën e anestezistëve. Do të jeni plotësisht zgjuar; megjithatë, nuk do të ndjeni asgjë në kokën tuaj gjatë ose pas operacionit për një periudhë të caktuar kohe.

  • A duhet të qeth kokën para mbjelljes së flokëve?

Në shumicën e rasteve, përgjigjja është po. Sidoqoftë, nuk keni nevojë të bëni asgjë para se të arrini në klinikë sepse koka juaj do të qethet para operacionit nëse është e nevojshme.

  • A rriten flokët përsëri në zonën dhuruese?

Teknikisht, pasi folikulat e flokëve hiqen nga zona dhuruese, ato nuk do të rriten përsëri. Sidoqoftë, falë teknikave të përparuara të zgjedhjes së shartimeve individuale të flokëve në metodat FUE dhe DHI, do të jetë e pamundur të shihet mungesa e flokëve në zonat dhuruese pasi të jeni shëruar plotësisht. Duhet të keni parasysh që e njëjta gjë nuk vlen për mbjelljen e flokëve të tipit FUT.

TRAJTIMI

TEKNOLOGJIA

ACIBADEM

×
Search