Historia e suksesit të Acıbadem: Bashkohemi kundër kancerit

Historia e suksesit të Acıbadem: Bashkohemi kundër kancerit

Çdo vit, më shumë se 50 000 njerëz nga e gjithë bota udhëtojnë drejt spitaleve Acıbadem në Turqi, dhe një pjesë e madhe e tyre janë pacientë me sëmundje onkologjike. Ata e dinë që zgjedhja e qendrës së duhur ku do të shkojnë për tu trajtuar është një vendim i rëndësishëm për t’u marrë dhe ata shpesh preferojnë Acıbadem për teknologjinë e tij të përparuar, ekipin mjekësor me përvojë dhe nisur nga rekomandimet e pacientëve që kanë pasur një trajtim të suksesshëm. Prof. Dr. Ozlem Er, Shefe e Departamentit të Onkologjisë Mjekësore pranë Universitetin Acıbadem MAA, përcakton 3 avantazhet kryesore që e bëjnë Acıbadem të dallohet ndër qendrat elitare në fushën e onkologjisë në të gjithë botën: kujdesi gjithëpërfshirës, ​​qasja multidisiplinare dhe mjekësia precize.

Për trajtim të suksesshëm të kancerit, nuk mjafton të kesh një aparaturë të fjalës së fundit ose një mjek të njohur. Është një domosdoshmëri, por thjesht nuk mjafton. Ajo që ka vërtet rëndësi për një pacient është vendosja e diagnozës së saktë dhe marrja e trajtimit të duhur në kohën e duhur si dhe ndjesia e të qenit i sigurt dhe i mbrojtur ndërsa drejtohen gjatë këtij procesi nga njerëz që e njohin mirë lojën dhe e kanë luajtur mijëra herë atë. Për të trajtuar rastin special të një pacienti me anë të ndërhyrjes kirurgjikale, kimioterapisë dhe radioterapisë së duhur, secila prej tyre në kohën dhe rendin e duhur, nevojitet një ekip i cili është në gjendje ta bëj këtë. Nevojitet të kesh akses në opsionet inovative të trajtimit, të jesh në gjendje të mbështesësh pacientin në çdo hap të rrugës me këshillat e ekspertëve në lidhje me dietën, stërvitjen, sfidat sociale dhe psikologjike… E gjitha ka të bëjë me njohuritë dhe përvojën që ndërtojnë besimin, rrisin sigurinë dhe ofrojnë mundësi.

Mjekësia precize: Shënjestrimi i qelizave të dëmshme

Trajtimi i personalizuar fillon me diagnostikimin e kancerit, i cili ndiqet nga përcaktimi i gradës dhe stadit që kryhen nga patologjia dhe testet imazherike. Prof. Ozlem Er shpjegon se përcaktimi i gradës tregon diferencimin e qelizave tumorale: sa të ngjashme ose të ndryshme janë ato nga qelizat normale të trupit. Nga ana tjetër, përcaktimi i stadit vlerëson praninë e qelizave tumorale në pjesë të tjera të trupit. Pacientet me kancer të gjirit, për shembull, kontrollohen për përhapje në gjëndrat limfatike fqinje dhe metastaza të largëta si në mushkëri ose mëlçi. Plani i trajtimit varet nga këto rezultate, dhe meqenëse bazohet në mënyre specifike tek pacienti dhe tek tumori, ai shpesh quhet trajtim i personalizuar.

Gjithashtu, trajtimi mund të jetë i personalizuar bazuar në llojin specifik të kancerit dhe në karakteristikat gjenetike të pacientit. Një gjeneratë e re e barnave inteligjente mund të sulmojë shënjestra specifike të vendosura mbi ose brenda në qelizat tumorale, thekson Prof. Ozlem Er. Ndryshe nga kimioterapia klasike, e cila prek disa qeliza të shëndetshme së bashku me ato kanceroze, trajtimi me pikësynim ka për qëllim të shënjestrojë në mënyrë specifike qelizat tumorale. Përdoret më së shumti në rastet e kancerit të mushkërive, kancerit të gjirit, kancerit gastrointestinal dhe disa llojeve të tjera të kancerit. “Në onkologji, mjekësia precize është aktualisht në qendër të vëmendjes, kështu që me anë të trajtimit me pikësynim ne përpiqemi të trajtojmë kancerin në mënyrë sa më specifike të jetë e mundur,” thotë onkologia mjekësore.

Imunoterapia: Zgjimi i ushtarëve të trupit

Imunoterapia është një tjetër fushë e re në onkologjinë mjekësore, që synon qelizat imune në trup dhe i bën ato të sulmojnë qelizat kanceroze, në mënyrën me të cilën ato luftojnë viruset dhe bakteret. Prof. Dr. Ozlem Er pranë spitalit Acıbadem shpjegon: “Qelizat imune janë luftëtarët tanë, ushtarët tanë në trup. Ato sulmojnë qelizat tumorale. Në një pacient me kancer zakonisht ato preken dhe ne përpiqemi t’i aktivizojmë në mënyrë që këto qeliza të shkojnë dhe të sulmojnë qelizat tumorale. Kjo është një mënyrë për rritjen së imunitetit tuaj.” Imunoterapia zakonisht jepet si trajtim intravenoz. Ajo filloi të përdoret disa vjet më parë në rastet e melanomave malinje (kanceri i lëkurës) dhe kancerit të mushkërive. “Sot, imunoterapia mund të zbatohet në pothuajse të gjitha llojet e kancerit, por ne duhet të kontrollojmë disa karakteristika të tumorit; atëherë ne planifikojmë një trajtim të personalizuar për secilin pacient,” shton Prof. Er.

Efektet anësore të imunoterapisë janë kryesisht të lidhura me imunitetin dhe ndryshojnë nga kimioterapia klasike. Ekspertja shpjegon: “Për shembull, ne nuk shohim rënie të flokëve. Por ne shohim disa efekte anësore në lëkurë, si skuqje në formë aknesh apo kruajtje të lëkurës. Në disa raste mund të shohim diarre që lidhet me sistemin gastrointestinal, ose mund të shohim disa çrregullime endokrine, si problemet e tiroides ose të gjëndrave adrenale. Të gjitha këto janë efekte anësore të kontrollueshme, por të rëndësishme. Pra, mjeku dhe qendra e kancerit duhet të kenë shumë përvojë për këtë çështje.”

Qasje multidisiplinare në një qendër gjithëpërfshirëse të kancerit

Nëse keni të dhëna të dyshimta për kancer, ka shumë të ngjarë që ju të referoheni tek një onkolog nga mjeku juaj primar. Diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve onkologjike është një proces kompleks dhe ka nevojë për njohuri, përvojë dhe teknologji të larmishme. Një pacient me kancer mund të ketë nevojë për një onkolog mjekësor, radio-onkolog ose kirurg onkolog dhe radiolog. “Stafi që punon me onkologun mjekësor është shumë i rëndësishëm – infermierja, dietologu, punonjësi social… Nëse këto specialitete janë në dispozicion në të njëjtën qendër, ky është një avantazh,” tregon Prof. Ozlem Er. Koha është thelbësore në trajtimin e kancerit, kështu që nëse keni të gjithë ekspertët që punojnë si një ekip pranë jush, kujdesi mjekësor koordinohet pa probleme dhe pa vonesa.

“Qendra e onkologjisë duhet të jetë një qendër gjithëpërfshirëse për kancerin. Kur themi ‘gjithëpërfshirëse’, ne nënkuptojmë që kjo qendër duhet të ketë departamente të onkologjisë mjekësore, radio-onkologjisë, onkologjisë kirurgjikale, patologjisë, patologjisë molekulare, mjekësisë bërthamore dhe radiologjisë. Nëse këto departamente janë të vendosura në të njëjtën qendër dhe nëse janë me përvojë në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, atëherë shkalla e suksesit rritet ndjeshëm,” shpjegon Prof. Er. Në Acıbadem, çdo rast i ri diskutohet nga një bord specialistësh për tumoret, në një mënyrë multidisiplinare. Qasja multidisiplinare siguron që plani i trajtimit të hartohet dhe të ekzekutohet në mënyrë korrekte, dhe të merren parasysh të gjitha opsionet në dispozicion. Kjo është në të vërtetë një nga përparësitë kryesore të një qendre gjithëpërfshirëse të kancerit si Acıbadem: aksesi në përvojën e akumuluar dhe siguria se çdo gjë dhe gjithçka në dispozicion do të provohet.

Dhe kanceri më i shërueshëm është…

Kanceri që zbulohet në një fazë të hershme, pavarësisht nga lloji i tij, zakonisht është i shërueshëm. Pra, mos harroni kontrollet vjetore dhe vini re disa shenja alarmante që mund të kërkojnë kujdes të veçantë. Prof. Dr. Ozlem Er paralajmëron: “Disa lloje të kancerit mund të kenë histori familjare, të tjerët mund të jenë sporadikë, kështu që mund të prekin çdo pacient. Nëse ka një rast kanceri në familjen tonë, atëherë duhet të kontrollojmë nëse ka akumulim të rasteve të kancerit – për shembull, kancer gjiri tek motra dhe kancer gjiri tek tezja ose nëna jonë. Atëherë është e rëndësishme, nëse i njëjti lloj i kancerit shfaqet në familje. Ose nëse kemi të bëjmë me kancer në një pacient të ri, që do të thotë më i ri se 50 vjeç, atëherë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shkojmë te mjeku i përgjithshëm ose duhet të bëjmë një konsultë gjenetike.”

www.acibadem.al

albania@acibadem.com

×
Search