Për çifte të cilat janë duke u përpjekur shumë për t’u bërë prindër, emri i profesorit Bağış tërheq menjëherë vëmendjen dhe sjell shpresë. Me 16 vjet përvojë në mjekësinë riprodhuese, ai ka kryer rreth 15.000 cikle IVF. Me një këndvështrim shumë interesant mbi teorinë e infertilitetit imunologjik, kreu i Departamentit të Riprodhimit të Asistuar në Spitalin ACIBADEM Altunizade është një specialist me famë botërore në këtë fushë delikate dhe sfiduese. Në materialin që vijon Prof. Tayfun Bağış flet qartë për përkufizimin e infertilitetit – jo të gjithë njerëzit e dinë saktësisht kur mund ta diagnostikojmë atë – shkaqet kryesore të këtij problemi të emëruar nga Organizata Botërore e Shëndetit si një çështje globale të shëndetit dhe zgjidhjet që mjekësia mund të ofrojë në këtë moment.

Le të flasim për diagnozën e infertilitetit. Ju thoni që kaq shumë çifte mohojnë diagnozën e vërtetë. Cila është diagnoza e vërtetë?

Prof. Dr. Tayfun Bağış: Për shembull, një çift dëshiron të ketë një fëmijë. Në muajin e parë, shansi është gati 20%. Pra, do të thotë që jo të gjithë çiftet mbeten shtatzënë në momentin që dëshirojnë. Por kur ndjekim këto çifte, për shembull marrim 100 çifte dhe i ndjekim ata 6 muaj, shohim që gati gjysma e tyre mbeten shtatzënë. Nuk do të thotë që çdo muaj 20% e çifteve mund të mbetet shtatzënë. Në muajin e parë, është 20%, në muajin e 6-të, është 50%. Kur i ndjekim këto çifte për 1 vit, pas këtij viti shansi për të lindur fëmijë është 85%. Nëse nuk mund të kapni 85%, nëse nuk jeni në atë përqindje, do të thotë që keni një problem për të mbetur shtatzënë. Prandaj pyesim: përse të jesh në anën tjetër? Diagnostikimi i infertilitetit është mungesa e shtatzënisë, pavarësisht kryerjes së marrëdhënieve seksuale të rregullta për 12 muaj. Ndoshta duhet të sqarojmë gjithashtu se çfarë është marrëdhënia e rregullt. Kur një çift kryen dy herë në javë marrëdhënie seksuale, kjo është marrëdhënie e rregullt. Përse mjekësia e konsideron këtë marrëdhënie të rregullt? Sepse sperma mbijeton në trup gati 72 orë dhe veza femër mbijeton vetëm 24-48 orë pas ovulacionit. Pra, nëse kryeni një marrëdhënie seksuale sot, sperma mbetet në trupin tuaj për 3 ditë. Dhe kështu me radhë, nëse kryeni marrëdhënie seksuale dy herë në javë, do të mbuloni të gjithë periudhën e ovulacionit edhe nëse nuk mund ta merrni me mend ditën e saktë të ovulacionit.

Pra, nëse çiftet nuk mund të mbeten shtatzënë, pavarësisht marrëdhënieve seksuale të rregullta diagnoza është infertilitet. Pse shfaqet infertiliteti?

Prof. Dr. Tayfun Bağış: Në thelb mund të themi se 40% e shkaqeve janë të lidhura me femrën, 40% lidhen me meshkujt dhe 20% lidhen me çiftin, të cilin nuk mund ta shpjegojmë – kjo gjendje është diagnostikuar si infertilitet i pashpjegueshëm. Ne nuk mund ta shpjegojmë, por nuk do të thotë që problemi nuk ekziston. Ne nuk e dimë nëse spermatozoidi arrin brenda qafës së mitrës, nuk e dimë nëse ndodh fekondimi, nuk e dimë nëse pacientja ka apo jo ndonjë problem me implantimin. Ky është infertiliteti i pashpjegueshëm. Tani le të kthehemi te shkaqet e infertilitetit që lidhen me femrën. Nga ana e femrës, situata më e zakonshme që nuk lejon një shtatzëni është kur tubat janë të bllokuar. Në fakt, kjo është arsyeja pse IVF është zhvilluar në radhë të parë. Në vitin 1978, disa femra nuk mund të kishin fertilizim të natyrshëm, sepse tubat e tyre ishin të bllokuar. Dhe mjekët menduan: si mund t’i ndihmojmë? Oh, ne mund të nxjerrim jashtë oocitet, ne mund t’i fekondojmë ato dhe mund ti vendosim përsëri brenda nënës së ardhshme. Pra, ky është koncepti bazë, baza e fekondimit in vitro. Femra të tjera kanë një problem të ovulacionit, nuk mund të ovulojnë, dhe kjo është arsyeja e infertilitetit të tyre. Disa femra kanë endometriozë. Dhe në disa femra faktori i moshës luan rolin më të rëndësishëm në infertilitet. Kur femra bëhen më të moshuara, çdo vit pjelloria zvogëlohet. Hap pas hapi. Pas moshës 36 vjeçare, niveli i rënies është shumë dramatik. Kur shohim anën e meshkujve, kemi këto shkaqe: numrin ose lëvizshmërinë e ulët të spermatozoideve ose problemet e spermës. Ka shumë sëmundje që mund të zvogëlojnë numrin e spermatozoideve, por në shumicën e rasteve ne nuk e dimë arsyen e kësaj uljeje.

Si mund ta zbulojmë shkakun e saktë për çdo çift?

Prof. Dr. Tayfun Bağış: Ne duhet të kryejmë disa ekzaminime. Në këtë fushë ka shumë ekzaminime, ju mund ta kryeni këtë, ju mund ta kryeni atë, gjithashtu ekziston … Por ekzaminimet më të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shanset e shtatzënisë janë tre: duhet të tregoni që gruaja ka ovulim ose jo. Për këtë, ju mund të bëni një provë të progesteronit, ku ju kërkoni progesteron një javë para menstruacioneve të pritura. Nëse progesteroni është i lartë mund të thoni që jemi në rregull, ka një ovulim. Në provën e dytë, duhet të shikoni nëse tubat janë të hapura apo jo. Kjo quhet histerosalpingografi. Nëse tubat janë të hapura dhe ovulacioni është i dukshëm, duhet të kontrolloni edhe spermatozoidet. Unë rekomandoj që këto ekzaminime të kryhen së bashku. Ndoshta është mirë të flasim pak edhe për testin e spermës. Pra, për të bërë një test sperme, burri duhet të jetë në dietë seksuale – mungesë marrëdhënie seksuale për tre ditë. Ai duhet të vijë në klinikë dhe të japë një mostër të spermës me anë të masturbimit. Pra, nëse i keni kryer këto tre ekzaminime, ndoshta mund të shikoni edhe rezervën ovariale. Tek burri, prodhimi i spermës është i vazhdueshëm në të gjitha moshat. Kur burri do të jetë 85 vjeç, nëse do të martohet me një grua të re, ai mund ta lërë atë shtatzënë. Por nuk është e njëjta gjë tek femra, sepse veza zhvillohet që kur ajo është në barkun e nënës së saj. Numri rritet afro 4 deri në 6 milion vezë në jetën intrauterine dhe pas 20 javësh gestacioni këto numra ulen shumë. Kur lind vajza e vogël, ajo do të ketë vetëm 1-2 milion qeliza vezë. Pas kësaj kohe, për shkak të uljes së niveleve ose eliminimit ose atresisë, kur vajza ka menstruacionin e parë, ajo do të ketë 400.000 ose 500.000 qeliza vezë. Këto janë të vetmet qeliza vezë që ajo mund të llogarisë për të pasur një fëmijë. Çdo muaj gruaja humb afro 1000 vezë në mënyrë që të ovulojë një. Pra, kjo do të thotë që në jetën riprodhuese të gruas, ajo mund të ovulojë afro 400 ose 500 herë. Gjatë kësaj periudhe, ajo do të përpiqet të ketë një fëmijë. Nëse këto follikula mbarojnë atëherë mund të themi që është instaluar menopauza. Tek disa femra, mosha e menopauzës mund të jetë normale pas 45 vjeç, por për gati 1 në 10 gra menopauza bëhet e dukshme midis 40 dhe 45. Dhe për 1 në 100 gra menopauza shfaqet para moshës 40 vjeç. Pra, kjo për të cilën flasim është popullsia e përgjithshme. Por kur shohim femrat të cilat nuk mund të mbeten shtatzënë, mbase ky raport është edhe më i lartë. Ne mund ta dimë numrin e folikulave të mbetur duke bërë një echo, ose teste më specifike të gjakut që tregojnë se si është rezerva juaj. Ndoshta ky test nuk mund të ndikojë në normat natyrale të shtatzënisë, por mund të na ndihmojë të vendosim se cili trajtim do të merret nga çifti.

Kur dalin rezultatet, cili është plani për çdo skenar?

Prof. Dr. Tayfun Bağış: Nëse femra ka një problem ovulimi, është shumë e thjeshtë për ne. Ne japim disa ilaçe për të prodhuar ovulim dhe mbetemi në pritje të shtatzënësisë për 6 muaj. Nëse tubat e gruas janë të bllokuar, mund të themi se duhet të kryet IVF. Nëse gruaja ka endometriozë, ne mendojmë se ka dy mundësi: në disa raste ne kryejmë kirurgji dhe presim 1 vit; nëse ato nuk mbeten shtatzënë ne ofrojmë IVF. Ose ne rekomandojmë direkt IVF. Pra mund të shihni se për secilin skenar trajtimi është i ndryshëm.

Kur shohim faktorët mashkullorë, pra spermogramin, ne llogarisim se sa spermatozoide lëvizës ka mashkulli. Nëse numri i spermatozoideve të lëvizshëm, pavarësisht numrit të ulët, është më i lartë se 10 milion, ne mund të themi “në rregull, le të presim pak më shumë”. Nëse është më i ulët se 5 milion, ne flasim drejtpërdrejt me pacientët për IVF. Le të kemi edhe një qasje ndaj 20% të infertilitetit të pashpjegueshëm. Pra, e dimë që nëse pacientja është në moshë më të re, më e re se 35 vjeç, nëse kohëzgjatja e infertilitetit nuk është shumë e gjatë, për shembull pas 1 viti, dhe ne nuk kemi mundur të gjenim asnjë problematikë, e dimë që nga këto çifte në vitin e ardhshëm gati gjysma prej tyre do të mbeten shtatzënë. Kështu që nuk është nevoja të bëni asgjë. Ne u rekomandojmë atyre që të presin, të presin edhe pak më shumë, 6 muaj, dhe nëse nuk mund të mbeten shtatzënë, ne do ti ndihmojmë. Nëse kalojnë 6 muaj ose një vit dhe ata nuk mund të kenë shtatzëni, ekzistojnë dy mundësi: njëra mundësi është inseminimi, opsioni tjetër është IVF. Kjo është një çështje e diskutueshme në mjekësi: Cila është më mirë? Sepse shumë mjekë e marrin pacientin drejtpërdrejt në IVF. Një pjesë tjetër, si unë, i këshillon ata se afro tre inseminime janë të barabartë me një IVF. Shumë studime mbështesin këtë pohim. Por, për të pasur një inseminim, duhet të keni infertilitet të pashpjegueshëm ose vetëm infertilitet të butë të faktorit mashkullor, jo probleme serioze të infertilitetit. Për rastet serioze, ne u tregojmë kostot, kohën dhe shkallët e suksesit dhe u japim çifteve mundësinë që të zgjedhin njërën prej tyre – inseminimin ose fekondimin in vitro. Janë ata që marrin vendimin; vendimi i secilit çift është i ndryshëm.

2019-09-20T11:59:48+00:00 News|