NJË EPOKE E RE NË TRAJTIMIN KUNDRA-PLAKJES: QELIZAT STAMINALE

//NJË EPOKE E RE NË TRAJTIMIN KUNDRA-PLAKJES: QELIZAT STAMINALE

Kohët e fundit, terapitë me anë të qelizave staminale kanë fituar popullaritet tek gjithnjë e më shumë njerëz në të gjithë botën. Qeliza staminale është globalisht “drita e syve” për shkencëtarët dhe tashmë ajo përdoret për të trajtuar shumë sëmundje. Këto qeliza të mrekullueshme luajnë një rol aktiv në të gjitha fushat e trajtimit, duke filluar nga kanceri e deri tek estetika. Terapitë me anë të qelizave staminale tërheqin vëmendje, pasi ato krijojnë rezultate më të suksesshme dhe minimizojnë ndjeshëm komplikacionet nga të cilat mund të vuajnë pacientët.

Profesore e asociuar Çiğdem Karadağ Sarı pranë Departamentit të Kirurgjisë Estetike, Plastike dhe Rindërtuese pranë Spitalit Acıbadem Altunizade, shprehet se qelizat staminale përdoren shumë shpesh në fushën e estetikës dhe se rezultatet janë shumë të suksesshme.

Atëherë, çfarë është qeliza që globalisht njihet si “staminale”?

Me terma më të thjeshtë, është forma më themelore e një qelize, e cila në trupin e njeriut mund të shndërrohet në qeliza të tjera. Këto qeliza mund të përmbushin funksione të mrekullueshme, të tilla si aftësia për t’u vendosur dhe përhapur në një ambient rritjeje të përshtatshëm, për t’u shndërruar në lloje të tjera qelizash dhe për t’u rigjeneruar vetë.

PRP-ja, PRF-ja, SVF-ja .. A janë të gjitha këto qeliza staminale?

Në Turqi, nën titullin e terapisë me anë të qelizave staminale ka në dispozicion një spektër të gjerë aplikimesh. Sidoqoftë, fatkeqësisht ekziston një paqartësi në lidhje me qelizën staminale. Me fjalë të tjera, PRP-ja (Plazma e Pasur me Trombocite), PRF-ja (Trombocitet e Pasura me Fibrinë) dhe fibroblastet konsiderohen të tëra si terapi të qelizave staminale dhe nuk përdoren për indikacione të vërteta. Sidoqoftë, qeliza staminale (fraksioni vaskular stromal (SVF)) është një procedurë krejtësisht e ndryshme nga këto produkte, të cilat ndryshojnë ndjeshëm në kuptimin e përdorimit të synuar, dozën, shpeshtësinë e aplikimit dhe mekanizmin e veprimit. PRP-ja dhe PRF-ja rrjedhin nga gjaku i pacientit; fibroblastet merren nga biopsia e indeve të marra nga pjesa prapa veshit; qelizat staminale mund të nxirren nga palca e kockave ose nga indi dhjamor. Në indin dhjamor është gjetur përqendrimi më i lartë i qelizave staminale. Qëllimi i përdorimit të PRP-së dhe PRF-së ndryshon nga indikacionet e terapisë me anë të qelizave staminale. Për shembull, PRF-ja ka më shumë të ngjarë të preferohet për shërimin e plagëve, ndërsa PRP-ja përdoret për ta bërë lëkurën gati për terapinë me anë të qelizave staminale.

A mjafton vetëm një seancë?

Duke marrë parasysh frekuencën e seancave, PRP-ja mund të përdoret me intervale javore, ndërsa PRF-ja përsëritet me intervale 10-ditore; Terapitë e mundshme të qelizave, të tilla si fibroblastet dhe qelizat staminale, nuk duhet të përsëriten në intervale më të shkurtër se 3 muaj. Përndryshe, ka të ngjarë që pacienti të vuajë nga efektet anësore. Meqenëse një trajtim kundër plakjes synon rinovimin e lëkurës së plakur, seancat e terapisë me anë të qelizave staminale duhet të regjistrohen, pasi ekziston një numër i caktuar i qelizave në lëkurë që do të ushqehen. Nëse numri i qelizave tejkalon aftësinë ushqyese të indeve, rezultati do të jetë mikrokalcifikimi, formimi i kistit dhe inflamacioni. Ose, në rastin e një nën-trajtimi, nuk duhet të pritet asnjë përfitim.

Si përfitohen dhe si aplikohen qelizat staminale?

Në qendrën tonë të trajtimit, në i vjelim qelizat staminale nga indi dhjamor i pacientit me anë të teknikave të veçanta, në kushte sterile. Terapia qelizore është një modalitet kompleks; ajo nuk përbehet nga një protokoll i vetëm. Në e përgatisim lëkurën për terapinë me anë të qelizave staminale, sidomos tek pacientët që janë më të moshuar se 35 vjeç. Këtu synojmë të krijojmë një terren për të bërë të mundur që qelizat staminale të funksionojnë sa më mirë. Më pas, ne e mbështesim këtë trajtim me agjentë të caktuar farmakologjikë për të përfituar rezultate optimale. Ne aplikojmë qelizat staminale të paktën 5 deri në 7 ditë pas përfundimit të këtyre fazave përgatitore. Trajtimi duhet të marrë parasysh strukturën e lëkurës, moshën dhe indin dhjamor nën lëkurën e pacientëve. Prandaj, trajtimi i personalizuar përshtatet për secilin pacient.

Për çfarë duhet bërë kujdes pas terapisë me qeliza staminale?

Shkalla e suksesit të këtij trajtimi ndikohet nga zakonet e të ngrënit, duhan pirja dhe konsumimi i alkoolit. Fytyra e pacientit duhet të mbahet e pastër, nuk duhet të përdoret krem dhe duhet të shmanget ekspozimi ndaj diellit për 48 orët e para pas injektimit.

Cila është metoda për rinovimin e lëkurës që përfshin injeksionin e qelizave të vjela nga gjaku i vetë pacientit?

Këto terapi janë PRP-ja (Plazma e Pasur me Trombocite) dhe PRF-ja (Trombocitet e Pasura me Fibrinë). PRF-ja përdoret shumë shpesh nga dentistët. Nga ana tjetër, PRP-ja ka një spektër shumë të gjerë të qëllimit të përdorimit.

PRP-ja përdoret zakonisht për trajtimin e rënies së flokëve dhe për terapitë kundër plakjes. Përveç kësaj, ato përdoren gjithashtu për problemet ortopedike, për shërimin e plagëve, për përtëritjen e lëkurës dhe për trajtimin e njollave të lëkurës. PRP-ja injektohet në gjëndrat e flokëve për të stimuluar qelizat; kështu ajo frenon rënien e flokëve dhe siguron rritjen e flokëve më të shëndetshëm. PRP-ja përdoret në fushën e estetikës për rinovimin e lëkurës. PRP-ja mund të konsiderohet se zbut rrudhat, por nëse ajo aplikohet e vetme efekti i synuar mund të dështojë. PRP-ja nuk është një terapi e qelizave staminale; është një terapi me bazë qelizore që siguron përtëritje dhe qëndrueshmëri.

Gjithmonë duhet të kujtojmë se pleqëria është një gjendje sistemike dhe jo një sëmundje lokale. Prandaj, megjithëse ndihmojnë në përtëritjen e lëkurës, terapitë lokale nuk janë të mjaftueshme. Disa persona të famshëm të Hollivudit punësojnë dhe paguajnë dhurues që të qëndrojnë të rinj duke shkëmbyer gjak me ta. Mbi këtë qasje ekzistojnë studime të placebo-kontrolluara. Sidoqoftë, për shkak të rreziqeve të tyre nuk shihet e arsyeshme që këto trajtime të aplikohen si hap i parë. Edhe pse persona të famshëm të Hollivudit i preferojnë këto trajtime, është e nevojshme të priten studime të reja dhe më të shumta për të vërtetuar sigurinë e tyre.

2019-12-03T11:30:51+00:00 News|